Gjergj Vyshka 14.11.2016 07:50
Boksi shqiptar ka ardhur me pesë medalje nga pjesëmarrja në ”Gongun e Artë” në Shkup. Kështu ka raportuar për “Sport Ekspres”, drejtori teknik i Federatës Shqiptare të Boksit, Migen Pero.
Dy janë medalje të arta, ndërsa kjo gjë i ka takuar Ardit Murjas në peshën 52 kg dhe Alban Beqirit në peshën 75 kg, që në finale ka fituar me KO që në raundin e parë. Një medalje e argjendtë ka ardhur me Emiljano Xhedikun.
Por ai, për shkak të dëmtimit në gjysmëfinale, edhe pse ka fituar, nuk ka mundur luajë në finalen e peshës deri në 91 kg. E medaljet e bronzta, duke konfirmuar paraqitjen dinjitoze të boksierëve tanë në Shkup, kanë shkuar për Denis Nurjan në peshën 69 kg dhe Melkiajn Palucën në peshën +91 kg.
Sakaq nuk është konfirmuar dhe mbështetur ideja e Shqipërisë për krijimin e Ligës Ballkanike në Boks, kundërshtuar më së shumti nga Serbia. E megjithatë boksi shqiptar ka bërë një paraqitje dinjitoze në Shkup, atje ku Murja dhe Beqiri janë medalje të arta.