Në përfundim të Turneut të 13-të Ndërkombëtar i Boksit, “Memorial Vllaznia 2016”, me tre kampionë të barasvlershëm me tre medalje të arta, ekipi më i mirë është cilësuar ai i Kazakistanit, i cili meritoi edhe kupën përkatëse të fituesit. Trofeun kësaj përfaqësueseje, në përfundim të veprimtarisë, ia ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kavivopulli.
Rivali më i afërt i ekipit të Kazakistanit ishte ai i Shqipërisë, i cili i drejtuar nga trajnerët Zef Gjoni (Vllaznia), Skënder Kurti (Tirana) dhe Jani Nano (Teuta), siguroi po aq “kampionë” dhe medalje të arta sa Kazakistani, por me vende të dyta më pak zbriti një vend më poshtë në renditje. Një sukses të merituar ka shënuar edhe Kosova, i cili me dy “kampionë” të shpallur renditet në vendin e tretë.
Ajo ka lënë prapa Bullgarinë dhe Ukrainën, me nga një “kampion”. Por ajo që e bën më me lavdi boksin shqiptar është fakti se me vendim unanim, gjyqtaria qendrore e Turneut ka votuar që kupën e boksierit më të mirë të të gjithë veprimtarisë ta meritojë boksieri shqiptar, talenti i klubit Vllaznia, Syrja Marinaj. Një boksier ky me mjaft të ardhme, i cili falë vlerave që disponon është kandidat kryesor për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike të Rio de Zhaneiros. Me kupë personale është nderuar edhe boksieri tjetër shkodran, Nelson Hysa, i cili u cilësua si boksieri më i mirë vendës.
Turneu i 13-të Ndërkombëtar i Boksit
“Memorial Vllaznia 2016”
Rezultatet teknike të ditës së tretë:
Pesha 49 kg Duisenbai (Kazakistan) – Dimitri (Bullgari) 3-0
Pesha 52 kg Aleksandrov (Bullgari) – Isakulov (Kazakistan) 3-0
Pesha 56 kg Zeneli (Shqipëri) – Kalzhanov (Kazakistan) 1-2
Pesha 60 kg Sulejmani (Kosovë) – Koptileuov (Kazakistan) 2-1
Pesha 64 kg Rrasi (Kosovë) – Mger (Ukrainë)
(fiton me AB boksieri ukrainas për tërheqje të kundërshtarit)
Pesha 69 kg Kurhaku (Kosovë) – Yrzabajev (Kazakistan) 1-2
Pesha 75 kg Muharremi (Kosovë) – Marinaj (Shqipëri) 0-3
Pesha 91 kg Xhoxhaj (Kosovë) – Kostandin (Ukrainë) 3-0
Pesha +91 kg Hysa (Shqipëri) – Batinkov (Bullgari) 3-0
Renditja ekipore:
Kazakistani 3 medalje ari
Shqipëria 3 medalje ari
Kosova 2 medalje ari
Bullgaria 1 medalje ari
Ukraina 1 medalje ari
Boksieri më i mirë i turneut: Syrja Marinaj (Shqipëri)
Boksieri më i mirë vendës: Nelson Hysa (Shqipëri)