Gjergj Vyshka 01.05.2015 09:45
I dha fund karrierës. Keqardhja për tërheqjen e tij nga ringu, por ai tashmë do të jetë trajner. Të gjithë japin vlerësime maksimale. Kreshnik Qato, boksieri shqiptar i cili mban titullin e “kampionit” të Evropës për Bashkimin Evropian, por dhe titullin “kampion bote” në versionin “WBF”, i ka dhënë dje zyrtarisht fund karrierës së tij në ring.
Gjithçka ka ndodhur në mjediset e Hotel “Rognerit”, në kryeqytet, atje ku ka qenë të ftuar jo vetëm personalitete të sportit, por dhe të politikës, të cilët kanë nderuar kështu këtë kampion shqiptar që për vite me radhë ka mbushur pallatet e sportit, por dhe ka ngritur peshë zemrat e shqiptarëve kudo që ata kanë qenë. Sigurisht që ka një fund për gjithçka, kjo edhe për ëndrrat më të bukura.
Një nga boksierët më të mirë shqiptarë të dekadës së fundit vendosi të varë dorezat në gozhdë për t’u shkëputur përfundimisht nga boksi, nga ai ring të cilin e dashuroi që në fëmijëri. Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cilësoi Kreshnik Qaton si një shembull që duhet marrë në konsideratë nga i gjithë brezi i ri.
“Vlera të mëdha dhe mëse të merituara i dha Kreshnik Qato dhe është një emblemë e boksit shqiptar. Ai është njeri që cilësohet si boksieri më i mirë i të gjitha kohërave në vendin tonë”, – ka thënë ministrja Nikolla. Në lidhje me Kreshnik Qaton u shpreh personi të cilit boksieri shqiptar i dedikon të gjithë suksesin e tij, medaljet dhe arritjet, Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit Profesionist z.Ylli Ndroqi.
“Është një kohë e gjatë që jemi kemi qenë bashkë, për gati 10 vite si një familje, – ka deklaruar ai. – Ndjehem krenar, sepse ka ngritur lart flamurin kuqezi, i cili na emocionon dhe sot. Të jesh kampion botë është shumë e lehtë, por ta mbrosh atë është shumë e zorshme. Shpresojmë që të prodhojmë përsëri Kreshnikë të tjerë, sepse vetëm kështu mund të kemi vazhdimësi të boksit profesionist”.