Nga Et’hem Ibrahimi* 28.09.2016 17:05
Federata Shqiptare e Boksit, nga 30 shtator, deri më 2 tetor 2016, në Shkodër do të zhvillojë ndeshjet e boksit në kuadër të Kampionatit te 28-të Kombëtar për kategorinë e moshës 17-18 vjeç. Ky kampionat i ka fillimet e veta në vitin 1961.
Ekipet që do të marrin pjesë në kampionatin e 28-të do të përfaqësohen në përgjithësi me boksierë që kanë marrë pjesë gjatë 3-5 vite në kampionatet kombëtare të moshave dhe që kanë një përgatitje fiziko-teknike dhe përvojë të mirë në boks.
Një pjesë e tyre pritet që të aktivizohen edhe në kampionatin e të rriturve. Në kampionatin e 28-të do të marrin pjesë ekipet e boksit të klubeve sportive Vllaznia, Flamurtari, Teuta, Apolonia, Tirana, Tomorri, “Arena Fitness & Boxing”, “Enea”, etj.
Nga vëzhgimet e bëra, më rezulton se gara midis ekipeve, por më tepër ndërmjet çdo kategorie të peshave do të jetë interesante, ku padyshim që do të ketë edhe të papriturat e saj.
Për mbarëvajtjen e kampionatit,gjyqtaria e garave ka marrë masat e nevojshme që secili arbitër të shpalosë përpara sportdashësve shkodran paraqitjen e tij më të mirë në aspektin moral e profesional.
* Specialist boksi