Gjergj Vyshka 13.04.2016 23:00
Arjon Kajoshi, Syrja Marinaj dhe Alban Beqiri e kanë humbur shansin e tyre për të qenë të kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Pikërisht në Samsun të Turqisë, atje ku është duke u zhvilluar një grup kualifikues i zonës së Evropës, në turin e dytë janë eliminuar të tre.
Kështu Kajoshi është mundur 0-3 nga ukrainasi Dmitro Mitrofanov në kategorinë e peshës deri në 75 kg. Me të njëjtin rezultat është mundur brenda ditës në kategorinë e peshës deri në 81 kg edhe Syrja Marinaj, i cili ka pasur përballë gjermanin Serzh Mishel.
E në mbrëmjen e së martës, tashmë në kategorinë e peshës deri në 69 kg, është mundur 0-3 edhe tiranasi Alban Beqiri, i cili ka qenë përballë lituanezit Eimantas Stanionis. Për t’u evidentuar ka qenë mungesa e Krenar Zenelit në peshën 56 kg, që sipas drejtuesve të Federatës Shqiptare të Boksit ka pasur probleme me skadimin e afatit të pasaportës së tij.
Tashmë shansi tjetër për boksierët kuqezi do të jetë në Baku për të qenë me normë kualifikimi në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.