Gjergj Vyshka 09.12.2014 08:25
Boksieri i talentuar i Tiranës ka mundur në finale ukrainasin dhe është në vendin e parë në Baku. Fituesi i medaljes së bronztë në Evropianin e të rinjve plotëson tashmë kushtet për bursë olimpike. Jurgen Uldedaj ka sjellë një tjetër medalje ndërkombëtare në Shqipëri.
Këtë herë nga turneu ndërkombëtar “A. Agalarov Cup”, e zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit, ndërsa gjithçka ka qenë me ndërmjetësinë e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar pas marrëveshjes që ka bërë presidenti Bezhani me ministrin e sportit në Azerbajxhan.
Uldedaj ka treguar dhe një herë jo vetëm formën e tij të mirë sportive, por dhe potencialin për të dhuruar të tjera medalje në aktivitetet ndërkombëtar. Pse jo është një kandidat potencial për të qenë boksieri i parë shqiptar me normë kualifikimi në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Fillimisht Uldedaj, që ka qenë i shoqëruar nga trajneri i Tiranës, Sead Bushati, ka mundur azerbajxhanasin me nokaut. Më pas në gjysmëfinale ka mundur kundërshtarin e tij nga Uzbekistani dhe në finale, falë një forme shumë të mirë sportive, ka mundur ukrainasin.
E në përfundim të turneut, Uldedaj është fitues i peshës 81 kg, duke merituar kështu medaljen e artë.