AlbanianSport.com 25.05.2016 13:45
ASNN – Boksierja kosovare që përfaqëson Gjermaninë, Azize Nimani nuk ka mundur të fitojë ndoshta duelin më të rëndësishëm të saj në boksin amator. Të martën, ajo u ndal në çerekfinale të kampionatit botëror të boksit për femra që po mbahet në Astana të Kazakistanit.
Kalimi në gjysmëfinale do t’i siguronte Nimanit normën për Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Nimani në çerekfinale, të martën, humbi nga Zhaina Shekerbekova e Kazakistanit me rezultatin 3-0. Sipas gjyqtarëve, Nimani ka humbur të gjitha 4 raundet. Por në kampin e saj vlerësuan se gjyqtarët nuk vlerësuan drejt dhe se asaj realisht i ka takuar fitorja.
Në këtë Botëror, Nimani garoi në kategorinë e peshës trupore deri 51 kilogramë, që është njëra prej tri kategorive olimpike. Boksi i femrave vetëm për herë të dytë do të jetë sport garues në Lojërat Olimpike Verore.
Të hënën, 25-vjeçarja pati fituar me rezultatin 2-0 ndaj italianes Davide Marzia për të siguruar vend në çerekfinale. Ndërkohë, Marzia e kishte mposhtur dy herë Nimanin në të kaluarën.
E kishte ndalur në gjysmëfinale të Lojërave Evropiane vitin e kaluar në Baku dhe në çerekfinale të kampionatit evropian të vitit 2014. Marzia ka dy medalje të argjendta botërore dhe tre tituj evropianë