AlbanianSport.com 23/05/2019 18:00
ASNN – Keqadministrimi nga drejtuesit e saj, ka bërë që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), t’i heqë të drejtën e përfaqësimit Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit Amator (AIBA) në Tokio 2020. Por presidenti i IOC-së, Tomas Bah, ka thënë se do të bëjë të mundur që boksierët të mund të jenë në Lojërat Olimpike. Kështu, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar rekomandoi që organizmit botëror që qeveris të boksit amator t’i hiqet e drejta e përfaqësimit në Olimpiadën e vitit të ardhshëm.
Udhëzimi nga bordi ekzekutiv i IOC-së vjen pas një kontrolli të ushtruar në Shoqatën Ndërkombëtare të Boksit (AIBA), ku u vu re një keqadministrim në masë. Presidenti i IOC-së, Tomas Bah tha për gazetarët në Lozanë se provat, pas një hetimi njëmujor, tregonin se brenda AIBA-s ekzistojnë çështje tepër të rënda, duke filluar nga mangësitë në qeverisje, deri tek konflikte të interesit. Por Bahu tha se përjashtimi i AIBA-s nga Tokio nuk duhet të pengojë boksierët të marrin pjesë.
Pra duhet gjetur një rrugë për t’i lejuar ata të konkurrojnë. “IOC-ja po përpiqej të sigurojë që boksierët, të mund të realizojnë ëndrrën e tyre dhe të marrin pjesë në Lojërat Olimpike, duke u siguruar që AIBA si organizëm të përballet me pasojat e veprimeve të veta” – tha kreu i organizmit që qeveris lëvizjen olimpike botërore. Auditimi në AIBA u krye nga “Deloitte”, e cila u përqendrua në pika si financat, qeverisja dhe etika, anti-dopingu dhe gjykimi.
Por Bach siguroi të gjithë boksierët se do të organizojë një fazë kualifikimi për të bërë të mundur që ky sport të jetë në “Tokio 2020”. Pa nxjerrë shumë detaje, presidenti Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), tha se faza kualifikuese do të zhvillohen midis janarit dhe majit të vitit 2020.