AlbanianSport.com 13/10/2018 14:25
ASNN – Një prej boksierëve më të mirë shqiptarë, Robin (Haxhi) Krasniqi, do të ngjitet në ring për të mbrojtur titullin evropian të fituar më 2 qershor të këtij viti. Bëhet fjalë për një sfidë që i ka shpallur boksieri gjerman Stefan Hartel për titullin në versionin EBU dhe për një duel që është fiksuar tashmë më 17 nëntor në Desau të Gjermanisë.
31-vjecari shqiptar, që jeton në Gjermani, e ka pranuar sfidën dhe ka deklaruar se do të përgatitet si duhet për këtë ndeshje të nivelit të lartë dhe ku bëhet fjalë për të mbrojtur titullin kontinental. Lajmin e bëri publik kompania menaxhuese e boksierit Kosovar, “SES Boxing”.
Kjo kompani ka njoftuar gjithashtu se “për Krasniqin ky takim për titull do të jetë rast për të stabilizuar veten si kampion evropian dhe kështu të vazhdojë ëndrrën për duele të tjera për tituj më të mëdhenj”. Kundërshtari i Haxhi Krasniqit, gjermani Hartel, është gjithashtu pjesë e kompanisë SES Boxing.
Ai ka një karrierë të pasur me 17 fitore e 1 humbje në ringun profesionist. Në të vërtetë nuk ka fituar ndonjë titull apo trofe vtë rëndësishëm, por mbetet një boksier i fortë dhe rival i ashpër për Krasniqin.