Në ditën e tretë finale, krahas tifozëve të shumtë, kanë qenë të pranishëm edhe autoritete vendore të Shkodrës, mes të cilave edhe kryetarja e Qarkut Shkodër, Greta Bardeli (Gjoni). Kjo e fundit jo rastësisht është shfaqur në pallatin e sportit. Madje me propozim të gjyqtarisë qendrore, së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, ajo i ka dorëzuar kupën e kampionatit trajnerit të Vllaznisë së Shkodrës, Zef Gjoni, që për fatin e mirë është babai i saj. “Jam shumë e lumtur dhe e emocionuar që përjetova këto çaste me të vërtet spektakolare në Pallatin e Sportit”, – tha ajo.
Kam qenë fëmijë i vogël kur e mbaj mend babain tim të ishte aq shumë i angazhuar duke punuar me plot pasion në shërbim të boksit shkodran, gjë që e tregojnë më së miri 20 titujt “kampionë” që arritur në karrierën e tij sportive. E mbi të gjitha edhe nxjerrja e një brezi të talentuar boksierësh, me shumë emër dhe reputacion, jo vetëm në Shkodër dhe kombëtaren e Shqipërisë, por edhe jashtë vendit. Ndaj që këtë ditë do ta mbaj mend gjatë në kujtesën time”, – u shpreh për “Sport Ekspres”, e bija e trajnerit të mirënjohur Greta Bardeli (Gjoni).