Gjergj Vyshka 08.11.2016 16:35
Boksi shqiptar bëhet gati për të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar të Maqedonisë, quajtur ndryshe “Gongu i Artë”, i cili do të zhvillohet nga data 10, deri më 13 nëntor 2016 në Shkup. Delegacioni shqiptar do të drejtohet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, si dhe sekretari i përgjithshëm Edmond Kabashi.
Nisur nga rezultatet e fundit në Kampionatin Kombëtar të Të Rriturve në boks, që u zhvillua nga data 28, deri më 30 tetor 2016 në Tiranë në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, trajneri i kombëtares Artur Koçi ka zgjedhur Ardit Murjan (pesha 52 kg), Denis Nurjan (pesha 69 kg), Alban Beqirin (pesha 75 kg), Emiljano Xhedikun (pesha 91 kg) dhe Melkiaj Palucën (pesha +91 kg).
Përveç synimit për medalje një çështje më vete do të jetë krijimi i Ligës Ballkanike në boks, e cila do të hidhet si ide nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Edmond Kabashi. Në këto kushte pritet një rritje e veprimtarive ndërkombëtare për boksierët, ndërsa “Gongu i Artë” është një shans për medalje për “dorezat” kuqezi.