Gjergj Vyshka 01.11.2014 14:20
Komiteti Olimpik Shqiptar, në një ceremoni, e cila është zhvilluar dje në mjediset e saj, ka dhënë pllakatën “Mirënjohje” për medalistin e bronztë Jurgen Uldedajn. Ai është pritur nga presidenti Viron Bezhani, por dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Gjergji Leqejza, si dhe nga trajnerët e specialistët e boksit shqiptar. Për Bezhanin kjo ceremoni është domethënëse që do të thotë se duhen kthyer sytë nga të rinjtë.
“Boksi ka treguar gjithnjë vlera. Këta sportistë, të cilët po na zbardhin faqen sigurisht që do të jenë dhe në Lojërat Olimpike e do të sjellin medalje, – ka deklaruar ish-mundësi, tashmë në krye të KOKSH-it. – Vëmendja do të jetë më e madhe, ndërsa është detyrë e Federatës Shqiptare të Boksit dhe e Komitetit Olimpik për krijimin e kushteve të mira të trajnimit.”
“Do të falënderoj presidentin Leqejza dhe trajnerët për gjithçka që japin për këta boksierë, – ka vijuar Bezhani. – Por veç Uldedajt ne kemi një element cilësor dhe Rexhildo Zenelin. Janë elementë që duhen përkrahur e na takon neve t’i krijojmë kushtet”. Ndërkohë për Leqejzën, si Uldedaj, ashtu dhe Zeneli janë të dy sportistë cilësor.
“Unë besoj se të dy do të jenë për medalje, – ka theksuar kreu i organizmit që qeveris boksin shqiptar. – Ndërkohë që së bashku me KOKSH do të dërgojmë një plan trajnimi në MAS për të gjetur dhe format e stimulimit”. E në fund Uldedaj i ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur.