Gjergj Vyshka 07.02.2016 07:05
Presidenti Kalivopuli jo vetëm që ka analizuar të gjitha veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, por në formën e bashkëbisedimit ka argumentuar gjithçka që është bërë gjatë një viti në sportin e dorezave. Boksi shqiptar vijon të jetë në një dyluftim të vazhdueshëm, jo vetëm në ring atje ku duhet të dalë sportisti më i mirë i një peshe të caktuar, por dhe jashtë litarëve.
Kështu ka ndodhur dhe në Asamblenë e Zakonshme të Federatës Shqiptare të Boksit, e cila dje është zhvilluar në sallën e Hotel “Diplomat 1” në Tiranë. Pas verifikimit të mandateve, të paktën edhe sipas juristes që Federata Shqiptare e Boksit kishte afruar në këtë asamble, kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e Asamblesë ishte. Që do të thotë nga 22 mandate kanë qenë 13 anëtarë, të paktën jo si në ndonjë Federatë tjetër, atje ku mandatet e dyfishta vijojnë të kthehen në shqetësim.
Në rendin e ditës së kësaj asambleje ka qenë fjala e hapjes dhe raporti i analizës vjetore për aktivitetet e zhvilluara gjatë vitit 2015 nga presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopuli. Më pas, miratimi i kalendarit vjetor të veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare për vitin 2016, projektet e FSHBo-së për vitin 2016 dhe plani për përshtatjen dhe zhvillimin e statutit të FSHBo-së, si dhe plotësimi i dy vendeve vakant të Komitetit Ekzekutiv të FSHBo-së sipas përzgjedhjes së kryer nga KE për kandidaturat.