AlbanianSport.com 26/11/2018 21:00
ASNN – Patriot Behrami është shpallur boksieri më i mirë i Turneut Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në pjesëmarrjen e tij të parë në ngjarjen më të madhe të ringut në Kosovë.
Në vitin e tij të parë të karrierës tek të rriturit, Behrami ka arritur sukses të madh, duke fituar edicionin jubilar, të 20-tin, e turneut kushtuar komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari.
Në përballjen finale të kategorisë së peshës trupore deri në 69 kilogramë, Behrami mposhti boksierin nga Zvicra, Naser Rikard. Finalet e Turneut Ndërkombëtar janë zhvilluar të dielën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Kurse të shtunën ishin përballjet gjysmëfinale. Në këtë edicion të 20-të, Turneu “Adem Jashari” është mbajtur për herë të parë në Mitrovicë, ndërsa numri i shikuesve nuk ishte i madh.