Gjergj Vyshka 12.03.2015 14:20
Kryesia e Federatës Shqiptare të Boksit do të mblidhet sot në mbledhjen e saj të radhës, atje ku pritet të vendoset nëse do të ketë asamble të jashtëzakonshme për shkarkimin e presidentit Leqejza dhe votimin e Kalidhopulit, apo do të vijohet si gjithnjë.
E vërteta është se janë 15 klube të cilat kanë firmosur peticionin për shkarkimin e presidentit Leqejza dhe po kështu dhe anëtarët e kryesisë, një pjesë e mirë e të cilëve janë nga Shkodra, duket se janë pro kësaj kërkese.
Gjithsesi tashmë do të jetë kryesia, e cila do të vendosë, ndërsa boksi është ndër ato Federata, e cila nuk ka bërë analizën e saj vjetore. Për herë të fundit është mbledhur më 28 janar 2014, ndërkohë që presidenti Leqejza ka ardhur në maj 2012, pas dorëheqjes së Çilotajt.
Në këto kushte, boksi duket se vazhdon të bëjë lojë në ring, por dhe lojë me presidentët, sepse ndërrohen sa herë që komuniteti nuk ndjehet mirë, apo i pakënaqur me atë që është në krye të Federatës.