AlbanianSport.com 19.02.2017 18:25
ASNN – Fituesi i Turneut të 9-të Ndërkombëtar “Pavarsia”, Arjon Kajoshi, i deklaroi për agjencinë “KosovaPress” se është i kënaqur që arriti të fitojë Kupën e këtij turneu. Ai thotë se ka ardhur i përgatitur mirë për këtë turne. “Kam ardhur i përgatitur në këtë turne, pasi jemi në përgatitje të vazhdueshme për turneun evropian që e kemi në Rumani dhe kemi pasur fazë përgatitore të mirë dhe besoja se do të arrija fitoren”, – ka thënë ai.
“Ndeshja ishte shumë e vështirë dhe kundërshtari ishte i denjë për këtë sfidë”, – shtoi Kajoshi. Ndërkaq, zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës (FBoxK), Latif Demolli tha se boksierët e ngjitur në ring treguan boks cilësor, edhe pse u zhvilluan vetëm 6 duele. Ai tha se për shkak të mungesës së mjeteve financiare nuk kanë mundur të ftojnë më shumë shtete pjesëmarrës në këtë turne. “Besoj se boksi ishte në nivel të duhur, edhe pse kemi parashikuar 9 duele të zhvillohen”, – ka sqaruar ai.
“Por u zhvilluan vetëm 6 duele, për arsye se dy malazezë nuk kanë ardhur dhe arsyen nuk e dimë, por besoj se këto 6 ndeshje treguan boks cilësor dhe me meritë u shpall boksieri më i mirë, – ka vijuar Demolli. – Siç e dimë, muaji shkurt ka peripecitë e veta për shkak të mjeteve financiare dhe nuk kemi mundur të ftojmë më shumë shtete si në vitet e mëparshme, sepse jemi në gjendje të mjerë financiare pasi prej 6 muajsh ne nuk kemi marrë asnjë ndihme nga Ministria dhe nga askush.”
“Por besoj se publiku është kënaqur më këtë boks cilësor”, – ka theksuar Demolli. Ai ka shtuar se ky turne është tradicional, dhe sipas tij, në vitet e ardhshme, do të jetë më masiv.