Gjergj Vyshka 26.02.2016 08:50
Alban Beqiri, boksieri i peshës 69 kg, që në Shqipëri përfaqëson Tiranën, ka rezultuar më i miri i kuqezinjve në “Strandja Tournament”, që është duke u zhvilluar në Sofje të Bullgarisë. Në ndeshjen e tij të parë ai ka fituar pastër 3-0 ndaj grekut Ritzakis Thodoris, ndërsa raundet, edhe sipas vendimit të gjyqtarëve të tavolinës, i ka fituar 30-27, 29-28 dhe 30-27.
Në raundin e tretë, e cila konsiderohet si raundi çerekfinal, Beqiri do të jetë përballë bullgarit Simeon Shamov. Ndërkohë të gjithë boksierët e tjerë janë eliminuar. Kështu ka ndodhur me boksierin e peshës 52 kg, Klevis Vrapi, i cili është mundur 0-3 nga bullgari Daniel Asenov. Por në të njëjtën kohë janë mundur me të njëjtin rezultat, 0-3, edhe Arjon Kajoshi i peshës 75 kg.
Ky i fundit ka humbur përballë bjellorusit Andrei Mikalau, e Syrja Marinaj i peshës 81 kg, i cili nuk ka mundur të përballojë ekuadorianin Karlos Mina. E ekuilibruar ka qenë ndeshja e peshës 56 kg, atje ku Krenar Zeneli është mundur 1-2 nga bjellorusi Dmitri Asanau (28-30, 27-30 dhe 29-28). Përfundimisht, edhe duke pasur shpresën për të hyrë në zonën e medaljeve, Alban Beqiri ka rezultuar më i sukseshmi i kombëtares së Shqipërisë në Sofje, e cila është drejtuar nga Jozef Sermi dhe Zef Gjoni.