Gjergj Vyshka 24.10.2016 17:05
“Body-building”-u shqiptar, ashtu sikurse ishte paralajmëruar nga “Sport Ekspres” gati një muaj më parë, ka qenë pjesëmarrës në Kampionatin Ballkanik, që është zhvilluar këtë fundjavë në Knazjevac të Serbisë. Dhe paraqitja e kuqezinjve, të cilët kanë pasur në krye Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të “Body-building”-ut, Rando Kukeli, ka qenë më shumë se sa e mirë.
Marsel Vangjeli ka dalë kampion ballkani në kategorinë e të rinjve në “Body-building”. Ndërkohë po për të rinj, tashmë në disiplinën e fizikut, Sebastian Brahimi duke zënë vendin e dytë ka merituar medaljen e argjendtë, ndërsa Markel Sena me vendin e tretë ka merituar medaljen e bronztë. E ndërkohë në kategorinë e të rejave “bikini fitness” ka zënë vendin e tretë Lorisa Morina, që ka merituar kështu medaljen e bronztë.
Për Sekretarin e Përgjithshëm, Kukeli, një figurë të mirë ka bërë edhe kampioni absolut në kategorinë e “Body-building”-ut për të rritur, Kreshnik Topore, që nuk u klasifikua dot për një vonesë në garë. Përgjithësisht një paraqitje dinjitoze, që e bën optimistë Kukelin për vazhdimin e mbarë të “Body-building”-ut në Shqipëri.