Gjergj Vyshka 13.10.2015 11:35
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të “Body-building”, Rando Kukeli, ka lajmëruar të gjitha mediat shqiptare se të premten, në ora 19:00, në sallën e Akademisë së Arteve do të zhvillohet Kampionati Kombëtar i kësaj disipline sportive.
Në këtë eveniment të rëndësishëm për sportin e “Body-building” do të marrin pjesë rreth 70 sportistët më të mirë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kategoritë në të cilat do të konkurrohen janë 7.
Më konkretisht, kategoritë janë Meshkuj të rinj deri në moshën 18 vjeç, Meshkuj të rinj deri në lartësinë 1.78 metra dhe Meshkuj të rinj mbi lartësinë 1.78 metra. Më pas Meshkuj të rritur deri në lartësinë 1.78 metra dhe mbi lartësinë 1.78 metra.
Jo vetëm kaq, por do të konkurrohet tek të rinjtë në peshën 75 kg dhe mbi 75 kg. Gjithashtu një grupmoshë do të jetë për veteranët 40-50 vjeç, si dhe më pas për të rritur në peshën 80 kg, 90 kg, 100 dhe mbi 100 kg.
Në përgjithësi kampionati i “Body-building”, apo i trupave muskulor, ka vite që bëhet në Tiranë. Madje sportistët shqiptar kanë konkurruar me shumë dinjitet edhe në arenën ndërkombëtare.