AlbanianSport.com 25.08.2015 20:35
ASNN – Presidenti në largim i FIFA-s, Sep Blater, vazhdon të habisë me deklaratat e tij dhe, së fundit, ka thënë për BBC-në se ai është i “pastër”, ndërsa ka shtuar se në futboll nuk ka korrupsion”, në mes të hetimeve penale në FIFA.
Blater, i cili e ka marrë drejtimin e organit më të lartë të futbollit që prej 1998, mori një mandat të pestë në fundin e muajit maj, por më pas dha dorëheqjen. “Unë zgjodha të marrë këtë vendim sepse doja të mbroja FIFA-n”, – ka thënë ai.
“Unë mund ta mbrojë veten, jam mjaftueshëm i fuqishëm për ta bërë këtë, – ka vijuar zvicerani për median prestigjioze britanike. – Unë e di se çfarë kam bërë dhe në ndërgjegjen time jam i pastër dhe jam një njeri i ndershëm.”
“Institucioni nuk është i korruptuar, korrupsion ka mes individëve, – ka vijuar helveti 79-vjeçar. – Dikush duhet të jetë përgjegjës, por drejtuesi nuk mund të jetë përgjegjës për të gjitha.”
Hetimet për korrupsion në FIFA janë ende duke vazhduar. Deri tani 14 persona janë të akuzuar për korrupsion për marrje ryshfeti, që vlerësohet në më shumë se 150 milionë dollarë gjatë një periudhe 24-vjeçare.