AlbanianSport.com 07.07.2015 14:40
ASNN – Sep Blater thotë se ka frikë se mund ta arrestojnë, nëse del nga Zvicra. Presidenti i dorëhequr, por ende në detyrë, i FIFA-s këmbëngul se nuk ka lidhje me skandalin e korrupsionit në organizmin që qeveris futbollin botëror, por s’e ka ndërmend të lëvizë nga vendi, pa u zbardhur rastet. 79-vjeçari konfirmon se nuk do të kandidojë më për president të FIFA-s.
Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, e ka pranuar se nuk do të largohet nga vendi i tij i lindjes, Zvicra, pasi frikësohet se mund të arrestohet. Kreu i futbollit botëror në dy dhjetëvjeçarët e fundit është në qendër të skandalit masiv të korrupsionit, ndërsa FBI-ja i ka nisur hetimet rreth parregullsive që kanë ndodhur që nga viti 1991, çka rezultoi edhe në arrestimin e 14 personave.
“Jo se amerikanët kanë diçka konkrete kundër meje, por, për shkak se duke më arrestuar mua, do të shkaktohej një trazim publik”, – deklaroi zvicerani për “Velt am Sontag”, kur u pyet rreth frikës së tij për udhëtimet. “Derisa gjithçka të pastrohet, unë nuk do ta marr rrezikimin e udhëtimit”, – theksoi ai, duke vijuar: “Pas gjithë kësaj, unë kam nevojë për kohë për ta rimarrë veten.”
“Dyshimi në vetvete është një nga armiqtë më të mëdhenj të një lideri, por unë besoj në atë që po e bëj”, – ka shtuar kreu i dorëhequr i organizmit që qeveris futbollin botëror. Ndër të tjera, autoritetet zvicerane e kanë nisur një hetim rreth votimeve të FIFA-s, të cilat i dhanë Rusisë dhe Katarit të drejtën e organizimit të dy kampionateve të ardhshme botërore.
Blateri nuk akuzohet në këtë rast, por 79-vjeçari dha dorëheqje menjëherë muajin e kaluar, pasi e fitoi edhe një mandat për ta drejtuar organizmin që qeveris futbollin botëror. Blateri ka konfirmuar se nuk do të kandidojë më për kreun e FIFA-s, duke këmbëngulur se i ka dhënë fund drejtimit të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.
“Unë nuk e kam ndërmend ta paraqes kandidaturën përsëri, – ka pohuar ai. – Por, jam këtu për të luftuar, jo për mua, pro për FIFA-n. Kritikat nuk më lëndojnë mua. Ajo që më lëndon janë fjalët e urrejtjes. Zilia është shndërruar në urrejtje.”