AlbanianSport.com 16.08.2015 22:55
ASNN – Një kapitull i ri lufte midis drejtuesve më të lartë të futbollit botëror, Sep Blaterit dhe Mishel Platinisë, duket se është hapur së fundi, pas intervistës së dhënë nga zvicerani për të përditshmen holandeze “Volkskrant”.
Presidenti në largim i FIFA-s ka akuzuar francezin, aktualisht numri një i UEFA-s por edhe kandidat për të pasuar Blaterin në krye të FIFA-s, se e ka kërcënuar me dërgim në burg, vetëm e vetëm për ta ndaluar të rikandidonte.
Kërcënimi, sipas intervistës, i është bërë vëllait të Sep Blaterit, me qëllimin që ta detyronte atë të dorëzohej e të tërhiqej në Zyrih, vetëm pak orë përpara zgjedhjeve që e rikonfirmuan zviceranin në krye të FIFA-s.
Një konfirmim në fakt që zgjati vetëm 4 ditë, pasi Blater u detyrua të dorëhiqej nga detyra, për shkak të akuzave për korrupsion që janë ngritur nga FBI-ja, e që çuan në arrestimin e një sërë zyrtarëve të lartë bashkëpunëtorë të tij.