AlbanianSport.com 28.05.2016 12:05
ASNN – 9 ekipe të “dyrrotakëve” gjallërojnë të parët qendrën e Burrelit, e cila do të mirëpres deri të dielën 90 sportistë të pingpongut nga 6 shtete në veprimtarinë tradicionale të këtij fundmaji. Mesditën e djeshme qendra e qytetit të Burrelit ka pasur më shumë gjallëri nga ditët e tjera. Etapat çiklistike për kategorinë e kadetëve dhe të rinjve në gjatësinë Milot-Rrëshen-Burrel, por dhe ajo e elitës dhe të rriturve në segmentin Tiranë-Rrëshen-Burrel hapën Turneun e 4-t Ndërkombëtar të BITT-it.
Qindra banorë të Matit kanë pritur mbërritjen e çiklistëve, ndërkohë që Skënder Anxhaku, Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Rustem Nuzi, nënkryetar i Bashkisë së Matit, Elda Gjoka, drejtoreshë e BITT-it dhe njëkohësisht zëvendësepresidente e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Tonin Binoshi, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Shaban Lleshi, drejtor i drejtorisë së sporteve pranë Bashkisë Mat dhe Demir Cupi, shefi i sporteve pranë Bashkisë Mat, pritën 46 sportistë të ekipeve të Teutës, Apolonisë, Flamurtarit, Tiranës, Vllaznisë, Burrelit, Skënderbeut, Partizanit dhe Elbasanit.
Njëri pas tjetrit ato uruan Federatën e Çiklizmit për bashkëpunimin e treguar vit pas viti me Bashkinë e Matit dhe organizatorët e BITT-it. Nënkryetari i Bashkisë së Burrelit tha se nuk është rastësi që vajza matjane, Elda Gjoka, ish-kampionia e pingpongut organizon në qytetin e saj të lindjes një veprimtari të tillë të bukur, promovues të vlerave më të mira të trevës së Matit. Ndërkohë Anxhaku theksoi, se sa herë ftohej për të bashkëpunuar me Bashkinë e Matit, apo drejtuesit e BITT-it ai dhe Federata që drejton tregohet e gatshme.
Ai tha se dy etapat çiklistike patën rivalitet të fortë dhe u zhvilluan në temperatura të larta. Ai shtoi se ekipet pjesëmarrëse duhen falënderuar që iu përgjigjën pozitivisht ftesës. Falënderime për Federatën, Bashkinë dhe organizatorët e BITT-it kanë ardhur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Tonin Binoshi. E tashmë gjithçka do të jetë e përqendruar dhe tek garat e pingpongut, atje ku do të konkurrojnë dhe njerëz me aftësi të kufizuara.
Rezultatet teknike të garës çiklistike
Paratërinj / Të Rinj
(Milot-Rrëshen-Burrel, 62 km)
Nr. Çiklisti (Kombësia) Koha
1) Ritvan Tafili (Teuta) 1h47’50”
2) Serxhio Gjeloshi (Burreli) 1h47’54”
3) Arjan Aliaj (Teuta) 1h48’02”
Të rritur / Elitë
(Tiranë-Rrëshen-Burrel, 102 km)
Nr. Çiklisti (Kombësia) Koha
1) Altin Sufaj (Apolonia) 2h42’05”
2) Marolino Hoxha (Apolonia) 2h43’32”
3) Mersin Durmishi (Partizani) 2h46’41”