AlbanianSport.com 06/03/2024 15:40
ASNN – Gjyqtarët shqiptarë gjykojnë ndeshjen Ajaks-Aston Vila në turin e 16-shes së Ligës së Konferencës. Gjykimi shqiptar nga dita në ditë po njeh rritje në skenën e futbollit evropian e botëror. Kështu, UEFA dhe FIFA u ka besuar “bilbilëve” shqiptarë drejtimin e shumë ndeshjeve në arenën ndërkombëtare dhe sërish të enjten Enea Jorgji si kryesor, Denis Rexha e Ridiger Çokaj, si ndihmës dhe Eldorjan Hamiti, si gjyqtar i 4-t do të vendosin drejtësi në ndeshjen e turit të Ligës së Konferencës, Ajaks-Aston Vila.
Ky takim do të nisë në orën 18:45 në Stadiumin “Johan Krujf Arena” dhe gjyqtarët shqiptarë do të gjykojnë këtë sfidë në Ligën e Konferencës, që, sikundër edhe dy veprimtaritë e tjera të klubeve të kontinentit, tani është futur në fazën më emocionuese me eliminim të drejtpërdrejtë. Sukseset në arenën ndërkombëtare janë një vlerësim i madh për futbollin shqiptar dhe në veçanti për sektorin e gjykimit, që kanë bërë një punë të madhe për të arritur në këto nivele.
Një tjetër lajm i mirë vjen edhe nga gjyqtaret femra. Në javën që sapo lamë pas, në Kategorinë e Parë debutuan dy gjyqtare anësore femra, teksa Mirjeta Salla ishte pjesë e treshes në ndeshjen, Bylis-Tomori dhe Edjena Kapxhiu në takimin Flamurtari-Burreli.