Gjergj Vyshka 20.02.2015 15:45
Presidenti i Federatës Shqiptare të Bilardos, Edmond Loku, ka zyrtarizuar për “Gazetën e Sportit” të gjitha veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare për vitin 2015. Në fakt veprimtaritë e këtij viti kanë nisur më 31 janar 2015, ndërsa në Tiranë është zhvilluar Kampionati Kombëtar i Bilardos Çift. Veprimtaria e radhës është Kampionati Ekipor, që do të zhvillohet po në Tiranë në periudhën 28 shkurt-1 mars.
Më pas Kampionati Kombëtar Individual i Disiplinës me 9 gurë, që do të mbahet në Tiranë më 28 dhe 29 mars. Veprimtaria më e rëndësishme ndërkombëtare e kuqezinjve të Bilardos do të jetë Kampionati Evropian i Disiplinës 14+1, me 8, 9 dhe 10 gurë, e cila do të zhvillohet në Algarve të Portugalisë nga data 11, deri më 23 prill 2015. Më pas, në prill, do të vijohet me Kampionatin Kombëtar të Disiplinës me 10 gurë, në Tiranë.
Po në Tiranë, por në maj, do të bëhet Kampionati i Disiplinës 14+1 dhe në qershor Kampionati Kombëtar i Disiplinës me 8 gurë. Për fëmijë, më 1 qershor në Tiranë do të jetë Kampionati i Disiplinës me 15 gurë. “Steka e Artë 2015” është parashikuar që në periudhën qershor-korrik të bëhet në 8 qytete turistike në vend. Më pas, përgjatë muajit gusht, në Austri do të jetë Kampionati Evropian i Nxënësve dhe Të Rinjve.
Kampionati Kombëtar i Të Rriturve në Disiplinën me 9 gurë do të jetë në shtator në Tiranë, kurse Kampionati Kombëtar i Karambolit në tetor në Shkodër. Po në tetor në Tiranë do të bëhet Kampionati Kombëtar i Disiplinës me 9 gurë për Paratërinj dhe Të rinj. Gjithashtu do të jetë dhe Kupa e Pavarësisë në nëntor, ndërsa në dhjetor viti do të mbyllet me Kupën e Bilardistit më Të Mirë.