AlbanianSport.com 11.10.2014 12:05
ASNN – Përfaqësuesja e Danimarkës, me të cilën do të përballemi sot në “Elbasan Arena” nuk është një skuadër e panjohur për kuqezinjtë, pasi me ta jemi ndeshur 8 herë në Eliminatoret e Kampionatëve Evropianë dhe atyre Botërorë.
Bilanci është në favor të miqve, pasi Shqipëria është mundur 6 herë, ka marrë vetëm një barazim dhe ka korrur vetëm një fitore. Suksesi i vetëm shqiptar ndaj përfaqësueses nordike është ai i vitit 1963, kur kuqezinjtë fituan 1-0 falë golit të legjendarit Panajot Pano.
Ndërkohë, në këto 21 vitet e fundit përfaqësuesja shqiptare është ndeshur 6 herë të tjera me skandinavët, në kuadër të Eliminatoreve të Botërorit “SHBA 1994”, atij “Gjermani 2006” dhe atij të “Afrikë e Jugut 2010”.
Në të gjithë këto përballje, kombëtarja jonë është mundur 5 herë dhe ka marrë vetëm një barazim në vitin 2009. Në sfidën e luajtuar në “Qemal Stafa”, kombëtarja jonë që drejtohej nga i ndjeri Josip Kuzhe, barazoi 1-1 falë golit të Erjon Bogdanit.
Golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares shqiptare, i cili është edhe shqiptari që i ka shënuar më shumë Danimarkës, i shënoi gol skandinavëve edhe në sfidën e 2005-s, kur u mundëm 1-3 në Kopenhagen.
Ndeshja midis Shqipërisë dhe Danimarkës do të zhvillohet të shtunën në orën 20:45 në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.