AlbanianSport.com 28/04/2020 20:40
ASNN – Teksa UEFA po përpiqet me ngulm që ta mbajë sezonin aktual të futbollit, të ndërprerë në mesin e marsit, organizmi që qeveris futbollin kontinental ka marrë një tjetër goditje të martën, teksa një nga 5 kampionatet kryesore të Evropës praktikisht ka është dorëzuar. Dy nivelet më të larta të Kampionatit Francez të Futbollit, Liga 1 dhe Liga 2, praktikisht janë anuluar. Kështu, sezoni 2019-2020 është mbyllur para kohe për shkak të epidemisë së koronavirusit.
Presidentët e klubeve franceze do të mblidhen sërish gjatë muajit maj, për të diskutuar se cilat do të jenë skuadrat që do të bien nga kategoria, cilat do të ngjiten dhe cilat do të marrin pjesë në Kupat e Evropës. Qeveria franceze ka bllokuar çdo veprimtari sportive, minimalisht deri në muajin gusht dhe krerët e klubeve franceze, që mbajtën një mbledhje të martën pasdite, vendosën që është më e arsyeshme që sezoni të mos rifillojë.
Kampionati francez është i 3-ti që anulohet pas kampionatit belg dhe atij holandez të futbollit. Ndërkohë, Paris SG-ja ishte ende në Ligën e Kampioneve, pasi eliminoi Borusian e Dortmundit dhe mbetet e paqartë se si do të vazhdojë veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës. Kështu pra, edicioni 2019-2020 i futbollit në Francë nuk do të lejohet të vazhdojë para shtatorit, ka thënë kryeministri i vendit, Eduard Filip.
Ky i fundit ka folur të martën para parlamentit, ndërsa ka thënë se, përveç futbollit, nuk do të lejohen deri në shtator edhe sportet tjera. Ai ka thënë se edicioni aktual nuk do të vazhdojë. “Edicioni 2019-2020 i sportit profesional, sidomos ai i futbollit, nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë”, – ka thënë kryeministri francez. Ai ka thënë se edhe pasi të përfundoj mbyllja më 11 maj, grumbullimi i më shumë se 10 personave në hapësirë të mbyllur apo jashtë, nuk do të lejohet.
Kryeministri francez ka konfirmuar që plazhet do të qëndrojnë të mbyllura për publikun të paktën deri më 1 qershor. BBC-ja ka njoftuar se vendimi i kryeministrit nënkupton që nuk do të mund të vazhdojnë Liga 1 dhe Liga 2. Futbolli në Francë ishte pezulluar më 13 mars, ndërsa ka pasur shpresë që kampionati të vazhdojë më 17 qershor dhe të përfundojë më 25 korrik 2020. Më herët kampionatin e ka anuluar edhe Holanda, ndërsa vendimi për anulim të kampionatit të Belgjikës ka mbetur pezull.
Paris SG-ja udhëheq në kampionatin francez me 68 pikë, 12 më shumë se ndjekësja më e afërt dhe rivalja kryesore, Olimpiku i Marsejës. Kanë mbetur edhe 10 javë deri në përfundim të sezonit aktual, ndërsa skuadra pariziene ka një ndeshje më pak të luajtur. Tanimë organizmat e futbollit pritet të vendosin nëse do të shpallet “kampionia” e po ashtu për rënien nga kategoria dhe ngjitja një kategori më lart.