AlbanianSport.com 12/02/2019 08:50
ASNN – Kombëtarja do të luajë ndeshjen e parë të saj në kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të vitit 2020 ndaj Turqisë, në fund të muajit mars, një ndeshje e programuar të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Në kuadër të këtij takimi trajneri Kristian Panuçi dëshiron lojtarët më në formë, sidomos ata të repartit sulmues, pasi Shqipërisë në Ligën e Kombeve i munguan pikërisht goleadorët.
Pesha që mbajnë lojtarët e sulmit në këtë moment nuk është në nivelin e këkuar, madje lojtarët titullarë dhe ata me përvojë nuk kanë tregues që bindin, kurse ata më të rinjtë kanë dhënë prova se po ecin më mirë dhe si shembull krahasimi mund të merren Balaj, Sadiku e Cikalleshi, me të rinjtë si Durmishaj, Uzuni e Manaj. Ky krahasim ka mjaft domethënie sepse vjen në prag të startit të eliminatoreve Euro 2020.
Kështu, lojtari që ka shënuar më shumë nga sulmuesit kuqezinj në këtë pjesë të parë të kampionatit është Fiorin Durmishaj, me 10 gola të realizuar për Panioniosin në Superligën e Greqisë, e fill pas tij vjen Myrto Uzuni me 7 gola të shënuar për Lokomotivën e Zagrebit në kampionatin elitar kroat. Menjëherë pas dyshes së parë renditet Rei Manaj, i cili ka shënuar 5 gola për Albaseten në ligën e dytë spanjolle.
Veteranët Armand Sadiku, Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi janë më dobët. Natyrisht, Sadiku ka arsye të jetë në kuotën e zero golave sepse vjen nga një dëmtim shumë i gjatë prej 6 muajsh, kurse Balaj ka shënuar vetëm një gol në ligën e parë ruse me Akhmat Groznin. Ndërsa Cikalleshi ka realizuar 5 gola dhe javët e fundit, pas kalimit te Akhisarspori, ka shenja të dukshme përmirësimi.
Dhe ai mund të jetë një pikë e fortë si “pykë” në ndeshjet e radhës së Kombëtares. Një tjetër lojtar që duhet marrë në konsideratë është Azdren Llullaku, i cili ka realizuar 5 gola me Astra Gjiurgjiun në Sperligën e Rumanisë, por ka munguar muajt e fundit në përfaqësuese. Mundet që Panuçi t’ia japë një shans edhe Llullakut në kuadër të ndeshjes së radhës.
Por kjo do të varet shumë nga gjendja që do të shfaqin lojtarët në ditët në vijim për afro një muaj. Interesant është edhe mesfushori i krahut, talenti 22-vjeçar vlonjat, por i rritur në Itali, Françesko Tahiraj, i cili ka shënuar 9 gola në gjysmën e parë të sezonit të kampionatit slloven me një skuadër modeste si Aluminiji, duke qenë ndër realizuesit më të mirë të sezonit.
Kjo paraqitje bëri që ai të zhvendoset në merkato e janarit në Kroaci, tek Hajduku i Splitit dhe ka nisur të konfirmohet tek gjigandja e futbollit kroat. Mosha e tij e re mund ta trembë trajnerin e Kombëtares në pamje të parë, por Panuçi duhet të mendojë përtej një ndeshjeje dhe një rezultati dhe Tahiraj është një potencial që premton dhe që i duhet dhënë një shans me fanellën kuqezi.