AlbanianSport.com 12.01.2017 22:50
ASNN – Është edhe çështje e nivelit të kundërshtarit, por vlen për t’u përmendur fakti se e vetmja skuadër shqiptare që ka korrur një fitore në miqësoret e Antaljas është vetëm Luftëtari i vendit të 5-të. Ndërkohë që Skënderbeu i vendit të 3-të ka marrë një barazim pa gol, Partizani i vendit të dytë është mundur, ashtu sikundër është mundur, madje dy herë, Kukësi kryesues i Kategorisë Superiore, por edhe Flamurtari i vendit të 7-të.
Po kështu është mundur edhe Tirana e vendit të 4-t, e cila e ka nisur me humbje serinë e miqësoreve në Antalja. Bardheblutë u mundën këtë të enjte nga kazakët e Akzhajikut me shifrat 2-0. Skuadra e Mirel Josës bëri një ndeshje të mirë, por shtylla dhe portieri kundërshtar u mohuan golin bardhebluve në të paktën 3 raste. Ndërkohë, kundërshtarët ishin më efikasë në lojën e tyre.
Ata shfrytëzuan mundësitë e krijuara, duke ndëshkuar kryeqytetasit, përkatësisht në minutën e 73-të dhe atë të 82-të. Të padisponueshëm për trajnerin Mirel Josa, për arsye dëmtimi, ishin mesfushori Dorian Kërçiku dhe mbrojtësi Gentian Muça, ndërsa në pjesën e dytë u aktivizua edhe sulmuesi moldav, Petru Leuka, i cili është në provë tek Tirana në këtë merkato dimri.