AlbanianSport.com 23/05/2020 23:55
ASNN – Në fakt, ishte paksa e çuditshme, duke qenë se ende nuk është luajtur, të paktën zyrtarisht, asnjë ndeshje, qoftë kjo edhe miqësore. Por Turbina e Cërrikut kishte njoftuar se do të zhvillonte një miqësore me Kukësin, të dielën, duke nisur nga ora 17:00.
Por klubi cërrikas ka dalë me një njoftim të shkurtër për shtyp, ku ka bërë të ditur se kjo përballje miqësore nuk do të luhet, kjo për shkak se nuk mund të ketë lëvizje në vend, si pasojë e masave të marra në kuadër të epidemisë së virusit korona, që ka bllokuar lëvizjet nga një qytet në tjetrin.
“Për shkak të masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, ndeshja e planifikuar për nesër është anuluar, sepse e diela është caktuar si ditë pushimi dhe asnjë automjet nuk do të lëvizë. Të mërkurën është planifikuar një ndeshje tjetër miqësore, me ekipin e Partizanit”, – ka njoftuar Turbina.
Klubet po hasin në vështirësi edhe për zhvillimin e ndeshjeve miqësore, pasi për momentin nuk lejohen. Ditën e hënë pritet që Ministria e Shëndetësisë të japë edhe vendimin përfundimtar për zhvillimin e ndeshjeve të futbollit në Shqipëri, duke hapur kështu edhe dritën jeshile.