AlbanianSport.com 30.10.2016 07:05
ASNN – Niveli i parë të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, që njihet si Grupi A1, i ka luajtur dje të 4 sfidat e javës së tij të 5-të, ku, përveç takimit të Elbasanit, të cilën vendaset e kanë humbur në 3 sete përballë Vllaznisë, të gjitha ndeshjet e tjera kanë qenë mjaft të luftuar, duke kërkuar madje edhe 5 sete për të përcaktuar ekipin fitues.
Në sfidën më të spikatur të javës, është kërkuar seti final që kampionet në fuqi të volejbollit të femrave, Barleti Voleji, të dalin fituese në duelin me durrsaket, ndërsa prej këtyre të fundit është kontestuar dhe gjykimi i Enea Dushas. E verdhë për trajnerin Edmond Jazenxhiun dhe universitaret munden në set final 2-3. Barleti Volej shkëputet kështu në krye, me 14 pikë, dy më tepër sesa Teuta.
Durrsaket ndiqen nga pas nga Vllaznia, 3 setet e së cilës në Elbasan kanë qenë një “fotokopje” të njëra-tjetrës, sepse të tria kanë përfunduar në të njëjtat shifra, 15-25, por edhe Partizani, me të dyja skuadrat në kuotën e 10 pikëve. Ndërkohë, derbi i vajzave të kryeqytetit në volejboll është për Partizanin e trajnerit Roland Tare, i cili ka triumfuar me shifrat 3-1 ndaj Tiranës.
Ky ka qenë verdikti i ndeshjes që është luajtur mbrëmë në sallën Nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, që e ka mbushur atë plot me tifozë. Vajzat bardheblu të trajnerit Adrian Gorenxa kanë marrë vetëm një set, atë të dytin. Ndërkohë, në takimin tjetër të javës, Lushnja ka gjetur fitoren e parë në këtë sezon, duke mundur në 5 sete Skënderbeun.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 5-të
(29 tetor 2016)
Të shtunën:
Lushnja – Skënderbeu 3-2
Elbasani – Vllaznia 0-3
Barleti Volej – Teuta 3-2
Partizani – Tirana 3-1
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Setet Pikë
- Barleti Volej 5 5 0 15-2 14
- Teuta 5 4 1 14-5 12
- Vllaznia 5 4 1 12-8 10
- Partizani 5 3 2 11-8 10
- Tirana 5 2 3 9-10 7
- Skënderbeu 5 1 4 7-13 5
- Lushnja 5 1 4 6-14 2
- Elbasani 5 0 5 1-15 0