AlbanianSport.com 19/10/2018 09:45
ASNN – Që pas largimit nga Anderlehti, stoli po shndërrohet në “mollë sherri” për Besnik Hasin dhe ai vetë nuk po gjen qetësi, sado që po i ndryshon klubet çdo vit. I ndodhur aktualisht në Arabinë Saudite, ku drejton ekipin e Al Raedin, Hasit i kanë dalë sërish probleme.
Në fillim gjithçka shkonte mirë, madje Hasi kishte zgjedhur një grup lojtarësh që duheshin marrë shembull nga të gjithë. Por ky grup po i sjell trajnerit shqiptar probleme serioze. “Gjeneralët” e ekipit kanë braktisur stërvitjen dhe sado që klubi i kërcënon me sanskione e gjoba të rënda, ata kanë pranuar çdo lloj vendimi që të marrë klubi.
Por kanë theksuar se nuk kanë ndërmend të bashkëpunojnë më me Hasin. Situata duket e nderë, pasi dy lojtarët kryesorë, Sultan Al-Sauadi dhe Mohamed Al-Omari, po ndiqen dhe nga pjesa tjetër e skuadrës. Klubi arab po përpiqet të pajtojë futbollistët me trajnerin, por ata kanë refuzuar.
Kanë bërë vetëm një tolerim, duke thënë që të kthehen në skuadër, por me kushtin që të stërviten individualisht, pa pasur fare komunikim me trajnerin. E thënë ndryshe, Hasit po i vënë kushte lojtarët e tij dhe këto kushte nënkuptojnë largimin e trajnerit. Pritet që vendimin final ta marrë klubi i Al Raedit, por situata nuk duket aspak premtuese për Besnik Hasin.