AlbanianSport.com 25.11.2014 08:45
ASNN – Vendi i parë në grupin e Veriut, por dhe fitorja e thellë 6-0 ndaj Kamzës, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së bisedimeve të tifozerisë sportdashëse lezhjane. Sigurisht që gjatë bisedave nuk ka qenë vetëm fitorja 6-0, por dhe vendi i parë me 19 pikë, shënimi i 19 golave dhe pësimi i vetëm dy. Dhe të gjitha këto shifra të bën të besosh se është një Besëlidhje e denjë për të qenë në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm.
Skuadra lezhjane, gjithnjë sipas statistikave, ka shënuar më shumë se çdo skuadër tjetër në Kategorinë e Parë në grupin e Veriut. E jo vetëm kaq, por dhe më shumë se sa skuadrat e grupit të Jugut. Që do të thotë se është skuadra më prodhimtare në sulm në të gjithë kampionatin e Kategorisë së Parë. Gjithashtu në gjirin e saj Besëlidhja mban dhe dy golashënues, që janë Malo dhe Marashi.
Malo jo vetëm që është duke shënuar nga ndeshja në ndeshje, por ndaj Kamzës është shfaqur dhe Marashi, që me sa duket ka nisur të shpërthejë. Por nuk duhet harruar as Puka, të paktën për ato minuta që është aktivizuar në fushën e lojës, ndërsa ka vulosur fitoren 6-0 ndaj Kamzës. Siguria e Besëlidhjes ka ardhur nga porta, atje ku Demi është treguar në lartësinë e duhur dhe ndaj periferikëve të kryeqytetit.
Padyshim mbrojtja mbetet në lartësinë e duhur, e cila në shtatë javë ka pësuar vetëm dy gola. Dhe ky është një tregues shumë i mirë, që e bën skuadrën të sigurt në rrugën e saj drejt elitës së futbollit shqiptar. Me rikuperimin e kapitenit Gruda dhe mesfusha konsolidohet më shumë, sepse ky do të jetë reparti, i cili do të mbajë peshën kryesore në sulm.