AlbanianSport.com 15.11.2014 16:15
ASNN – Ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares sonë të të rriturve me Francën dhe Italinë nuk e ka vënë në gjumë Besëlidhjen. Që do të thotë se lezhjanët nuk e kanë ndërprerë për asnjë çast stërvitjen, ndërsa në fakt kjo ndërprerje ka favorizuar dhe rikuperimin e disa lojtarëve të dëmtuar të tillë si kapiteni Gruda, Xhorxheviç, Gjokeja e Muçollari. Të katër këta futbollistë vazhdojnë stërvitjen e tyre individuale, ndërsa presin që së shpejti presin t’i bashkohen grupit të lojtarëve për të qenë më pas të gatshëm për lojë.
Ndihmës-trajneri i Besëlidhjes, Gledis Lani, jo vetëm që ka konfirmuar vazhdimin e rikuperimit të këtyre futbollistëve, por mbi të gjitha ka deklaruar: “Ne vazhdojmë përgatitjen tonë individuale për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Kamzës. Kemi zhvilluar një test kontrolli me të rinjtë e Besëlidhjes, që drejtohen nga Alket Kruja. Ndeshja vërtetë ka qenë tepër miqësore, por ka pasur seriozitet brenda, sepse askush nuk ka lëshuar, por ka kërkuar të bëjë më të mirën”. Sipas Lanit, në këtë ndeshje Besëlidhja ka provuar disa futbollistë, të cilët nuk janë aktivizuar gjatë kampionatit, apo kanë luajtur shumë pak deri më tani.
“Dua të them se kemi një grup lojtarësh që bindin dhe në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë përgatitjen tonë për këtë ndeshje me Kamzën”, – ka shtuar ai. Ndërkohë për Besëlidhjen ka folur dhe një lojtar si Leonard Përloshi, i cili ka deklaruar: “Më vjen shumë mirë që Besëlidhja është kryesuese e grupit të Veriut, ndërsa kryeson me shumë meritë. Mamurrasi mendoj se duhet ta ruajë këtë ritëm, ndërsa Besëlidhja ka një grup të mirë futbollistësh, të cilët i ka marrë gjatë tregut të lëvizjeve të futbollistëve në verë.”
“Ka bërë një përgatitje maksimale, ndërsa kjo po duket edhe në rezultatet e deritanishme. Më ka pëlqyer puna e trajnerit Bardhi dhe ndihmësit të tij Lani. Ne jemi duke përgatitur në akademinë tonë lojtarë me të ardhme, ndërsa gjithnjë dëshira jonë është furnizimi i ekipit të parë. Kampionati i Kategorisë së Parë është në vazhdim, ndërsa Besëlidhja duhet ta ruajë këtë ritëm. Dhe më pas do t’ia arrijë qëllimit për të qenë në Superiore”, – ka përfunduar ndihmës-trajneri i Besëlidhjes, Gledis Lani,.