AlbanianSport.com 09.10.2014 18:40
Pas dy fitoreve radhazi në këtë fillim kampionati, ndaj Burrelit në Lezhë dhe Adës në Pukë, Besëlidhja e Sinan Bardhit tashmë është gati për shkëputjen e madhe nga rivalët. Tashmë lezhjanët janë duke u përgatitur për të marrë trepikëshin ndaj Veleçikut, në ndeshjen që do të luhet të shtunën e ardhshme në Lezhë. Duke folur për gazetat sportive të ditës, mbrojtësi Kledi Dibra, deklaruar: “Unë kam vitin e katërt që luaj për Besëlidhjen”.
“Ndihem mirë tek ky ekip, – ka vijuar ai. – Grupi ynë duhet të vlerësojë çdo ndeshje, në mënyrë të veçantë atë që do të luajë ndaj Veleçikut në Lezhë. Pavarësisht se tek skuadra luajnë disa nga shokët e mi si Pepa, Hotaj, Osmani, unë dua t’i mund ata. Sepse vetëm kështu mund të kalojmë në krye të grupit të Veriut”. Ndërkohë Dibra nuk është stërvitur me skuadrën për shkak të një dëmtimi të lehtë që ka pasur, ndërsa ai shpreson që ta kalojë dëmtimin dhe të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj koplikasve.
Sakaq për gjendjen e skuadrës ka folur doktori i ekipit, Denis Faslliu, i cili ka deklaruar: “Deri më tani nuk ka asnjë problem shqetësues në ekip. Gjendja është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm për lojë. Gjendja e tyre e mirë ka ardhur dhe nga përgatitja e mirë fizike që ata kanë bërë. Madje gjithçka ka ardhur dhe nga regjimi i mirë që ata kanë mbajtur. Jam i kënaqur me gjendjen e lojtarëve dhe dëshiroj që kjo gjendje të jetë deri në fund të sezonit”.