AlbanianSport.com 02.12.2016 17:55
ASNN – Besëlidhja ka mundur Tërbunin me rezultatin 2-0, me nga një gol për secilën pjesë loje, duke u konsoliduar në vendin e dytë të renditjes së grupit A të Kategorisë së Parë. Kjo ndeshje, që u luajt në Pukë, është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin e dytë tokësor të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, TVSH 2. Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, luan në fundjavë ndeshjet e javës së tij të 11-të në të dy grupet.
Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga një ndeshje të premten, të shtunën dhe të dielën. Takimi që ka ngritur të premten siparin e javës dhe që u soll drejtpërdrejt në kanalin e dytë tokësor të transmetuesit publik, TVSH 2, ishte ai i Pukës midis Tërbunit dhe Besëlidhjes. Kjo ndeshje, që nis në ora 14:00, vuri përballë dy skajet e renditjes së grupit A dhe janë miqtë nga Lezha që e gjejnë golin në minutën e fundit të pjesës së parë.
Një goditje e Kamarasë do të kthehet në rrjetë nga mbrojtësi i Tërbunit, Sulollari, që shkakton kështu një autogol. Në pjesën e dytë, është Kamara ai që shkon dëm një rast të mirë për shënim në minutën e 56-të, ndërsa dy minuta më pas, Besëlidhja rrezikon me një tjetër goditje të lirë. Në minutën e fundit shtesë, atë të 3-tën, kur vendasit ishin hedhur në sulm për golin e barazimit, janë lezhjanët që godasin me kundërsulm dhe Kamara realizon golin e dytë, duke vulosur fitoren e skuadrës mike.
Tërbuni, që vjet militonte në Kategorinë Superiore, mbetet kështu në vendin e fundit në Kategorinë e Parë, me vetëm 3 pikë. Ndërsa lezhjanët, mbajnë vendin e dytë, me 24 pikë të marra në këto 11 javë të para, duke qenë 6 pikë prapa Kamzës kryesuese.