AlbanianSport.com 07.10.2014 23:45
ASNN – Besëlidhja ka fituar të dielën ndaj Adës, në fushën e Pukës, ndërsa ka qenë një fitore që i ka ngjitur lezhjanët, së bashku me Veleçikun, në krye të grupit të Veriut, duke pasur të dyja skuadrat nga 6 pikë. Dhe ndeshja e radhës, që do të luhet mes të dy skuadrave në Lezhë, duket se është një shans i artë për Besëlidhjen për të qenë e vetme në krye të grupit A të Kategorisë së Parë.
Gjatë kësaj jave Besëlidhja, edhe duke përfituar nga pushimi i kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares, do të ketë mundësi për ta përgatitur më mirë këtë sfidë. Asnjëherë lezhjanët nuk duhet ta nënvlerësojnë sfidën me Veleçikun, përkundrazi duhet ta konsiderojnë atë të vështirë. Të entuziasmuar për fitoren ndaj Adës janë dhe tifozët lezhjanë.
Njëri prej tyre, Aurel Loci do të nënvizonte: “Ekipi ynë është një skuadër me emër dhe me karakter e që i ka dhuruar futbollit shqiptar shumë talente. Jemi të kënaqur me fitoren ndaj Adës, sepse na ka kaluar në krye të grupit. Besojmë se duhet ta fitojmë ndeshjen e radhës me Veleçikun. Ne do ta mbështesim skuadrën, ndërsa falënderojmë dhe presidentin Ndoka për gjithçka që jep për ekipin.”