AlbanianSport.com 22.10.2016 17:05
ASNN – Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, e cila ka ngritur të premten siparin e javës së saj të 5-të, me takimin midis Sopotit dhe Dinamos, që që u mbyll në barazim 1-1, ka vijuar sot me një tjetër takim. Ndeshja e transmetuar nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka qenë takimi i vlefshëm për grupin A, apo grupin e Veriut, midis Kastriotit dhe Besëlidhjes, që u fitua nga miqtë me një gol në minutat shtesë.
Besëlidhja e ka mundur Kastriotin me një gol të vetëm, të shënuar në sekondat e fundit të të shtunën pasdreke, në takimin e vlefshëm për javën e 5-të të grupit A, apo grupit të Veriut, të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Kjo ndeshje, që vuri përballë vendasit, që e kanë nisur dobët sezonin e ri me 4 barazime në po aq javë, me lezhjanët, që kishin marrë 10 pikë falë 3 fitoreve dhe një barazimi, nuk u ngrit dot mbi nivelin mesatar të saj dhe, për rrjedhojë, pjesa e parë nuk ka prodhuar gola.
Edhe pjesa e dytë ka qenë e vakët dhe ka filluar të gjallërohet vetëm pas minutës së 70-të. Të ndërgjegjshëm për kalimin e kohës, të dyja skuadrat e kanë hedhur vështrimin gjithnjë e më tepër drejt portave kundërshtare. Fillimisht kanë qenë miqtë që kanë rrezikuar, por portieri krutan ka bërë mrekullinë, duke shpëtuar portën e tij. Në krahun tjetër, edhe Kastrioti ka rrezikuar të shënojë, por goli i është mohuar nga gardiani i portës lezhjane.
Dhe fati i këtij takimi do të vuloset në sekondat shtesë, kur një goditje e lirë, e ekzekutuar nga Bajiç, do të devijohet në rrjetë nga muri i skuadrës krutane, duke i dhuruar Besëlidhjes fitoren minimale në Krujë. Ndërkohë, të dielën, duke nisur nga ora 13:00, transmetuesi publik do të sjellë edhe takimin e vlefshëm për javën e 8-të të Kategorisë Superiore, midis Luftëtarit dhe Tiranës. Kjo ndeshje do të luhet në Fushën Sportive të Peqinit.