Gjergj Vyshka 11.01.2015 13:55
Skuadra lezhjane, e drejtuar nga Ridvan Kulli, duket se vazhdon të jetë një pretendente serioze për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Dhe këtë do ta vërtetojë më së miri ndeshja e 7 shkurtit në Lezhë ndaj kryesuesve të grupit të Veriut në Kategorinë e Parë, Tërbunit.
Aktualisht Besëlidhja ka bërë dy përforcime, të cilat i përkasin mbrojtjes, ndërsa bëhet fjalë për shkodranin Klodian Semina dhe serbin Bojan Usumoviç. Madje Besëlidhja është në pritje dhe të një sulmuesi serb, i cili ka luajtur me Partizanin e Beogradit dhe që pritet që të hënën ai të jetë në stërvitje me ekipin.
Nëse do të shikosh organikën e Besëlidhjes vë re se dyshja e portës Rexhepi-Demi ka mbetur e paprekur. Në mbrojtje, krahas Jakupit e Dibrës, tashmë do të jenë dhe dy të ardhurit nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve në dimër serbi Usumoviç dhe shkodrani Semina.
Mesfusha është e blinduar me Grudën, Muçollarin, Hoxhën, Xhorxheviç, Gjokenë dhe Linin. Ka gjasa që këtij reparti t’i bashkohet dhe Manuka, i cili në pjesën e parë të sezonit ka luajtur me Besën e Kavajës. Në sulm është Malo, Marashi dhe Danaj, së bashku dhe me serbin që pritet të vijë nga Partizani i Beogradit.
Por Besëlidhja deri në përfundim të tregut të lëvizjeve të futbollistëve në dimër pritet të ketë dhe të tjera përforcime. Tashmë nga Besëlidhja janë të deklaruar dy miqësore, që janë të mërkurën me Tiranën dhe të shtunën me Partizanin.