AlbanianSport.com 07.09.2016 11:15
ASNN – Të shtunën, në miqësoren e Burrelit, Besëlidhja nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola, por stafi teknik ka besim tek formacioni, ndonëse reparti sulmues nuk reagoj ashtu siç duhej. Skuadra lezhjane po stërvitet intensivisht, ndonëse shtyrja e kampionatit të Kategorisë së Parë ka shumë probleme, pasi shtyrjet pafund të fazës pafund kanë pasoja nga të gjitha planet.
Besëlidhja edhe për sezonin e ri do të luftojë për t’u ngjitur në Superiore. Ndaj edhe për merkaton e kësaj vere ka aplikuar traditën e viteve të fundit duke sjellë shumë futbollistë, kryesisht me ngjyrë, kësisoj duke hequr dorë nga tregu serb i futbollit. Goditje e spikatur e Besëlidhjes kanë qenë mbrojtësit lezhjani Dritan Smajli, laçjani Edison Ndreca, mesfushorët Orjan Xhemalaj dhe Senad Lekaj.
Ndërsa nga futbollistët me ngjyrë janë ofruar Djalo Karlos, Diop dhe Udemezue Lion Emanuel, që tashmë janë bërë pjesë zyrtare e Besëlidhjes. Po ashtu nga prurjet e merkatos së janarit të shkuar pjesë e Besëlidhjes janë dy futbollistë afrikan, mesfushori Lancinet Sidibe dhe sulmuesi Sekou Camara, që po performojnë mirë me skuadrën, për rrjedhojë janë në formacionin bazë edhe në planet e trajneri Stavri Nica.
Ndërsa nga futbollistët e komunitetit serb tek Besëlidhja luan vetëm sulmuesi shtatlartë Kosta Bajiç, që pretendon trofeun e goleadorit, por kjo do të vërtetohet gjatë kampionatit. Trajneri Stavri Nica po punon intensivisht për ndërrimin e konceptit në skuadër dhe për këtë ka shenja pozitive. Shenjë pozitive në skuadër është krijimi i një fryme të re me punën në grup, pa lider, kjo për të ndërtuar një skuadër tepër agresive në marrëdhëniet me kundërshtarin dhe shumë luajale me njëri-tjetrin.