AlbanianSport.com 10.08.2015 10:05
ASNN – Nëse shkodrani pranon sot kushtet e lezhjanëve, atëherë do të jetë lojtari i dhjetë që ka ardhur në këtë merkato verore. Për Besëlidhjen do të jetë disfatë qëndrimi më i gjatë në Të Parën. Besëlidhja është lënë dy ditë pushim, të shtunën dhe të dielen për të rinis stërvitjen sot nën drejtimin teknik të trajnerit shkodran Kreshnik Krepi. Besëlidhja tashmë po shkon drejt mbylljes së merkatos së kësaj vere dhe pritet vetëm firma e shkodranit Arsen Sykaj.
Lojtari do të vijë sot në Lezhë për të vendosur përfundimisht. Nëse se Arsen Sykaj do të firmosë kontratën me skuadrën lezhjane, atëherë do të jetë futbollisti i 10-të që do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje për llogari të merkatos së kësaj vere. Deri tani tek Besëlidhja janë zyrtarizuar këtë futbollistë për llogari të kësaj merkatoje; Arsen Hajdari, Arenc Dibra, Alis Boci, Ari Djepaxhia, Arlind Ferhati, Mateo Zefi, Saimir Kastrati, Samet Hepaj dhe Vahedin Pepaj.
Por janë pesë të larguar Akil Jakupi, Altin Hoxha, Elton Muçollari, Gentian Manuka dhe Julian Malo. Presidenca e Besëlidhjes së Lezhës, e kryesuar nga Gjok Noka është e vendosur që me çdo çmim e sakrificë ta ngjisin skuadrën në Kategorinë Superiore, pasi po thyen edhe rekordin e vet duke qëndruar për 8 sezone radhazi në Kategorinë e Parë.
Besëlidhja, si një skuadër me histori mbi 85 vjeçare, ku 24 sezone i ka luajtur në Superligë, nuk e meriton që të qëndrojë gjatë nëpër kategoritë inferiore, pasi brezi i ri i tifozerisë tashmë është rritur duke e ndjekur në të parën. Ndaj qëndrimi në këtë kategori më gjatë do të jetë disfatë totale për trashëgiminë mjaft të pasur të futbollit lezhjan të tërësi.