Gjergj Vyshka 07.12.2014 17:35
Debati mes Sallakut e Hotajt kthehet gati-gati në një përplasje fizike mes lojtarëve në takimin midis Veleçikut dhe Besës. Koplikasit kanë kontestuar gjykimin e Kukës, ndërsa e kanë cilësuar atë të njëanshëm. Kurse trajneri i Besës, Bledar Sinella ka theksuar se “kampionati është i gjatë dhe kemi objektivat tona”.
“Kemi bërë një lojë të mirë dhe e kemi dominuar atë, – ka theksuar ai. – Kemi shënuar një gol, por dhe kemi pasur raste të shumta për shënim dhe kjo është gjë e mirë. Sigurisht që mund ta kishim zgjidhur dhe më shpejt ndeshjen për të mos e vënë në diskutim atë.”
“Por mendoj që jemi në rrugë të drejtë. Kampionati është i gjatë. Sot jemi në vendin e katërt e gradualisht do të hyjmë në lojën tonë për të kërkuar më pas dhe ngjitjen në Superiore. Jam i kënaqur me lojën e skuadrës sot, sepse dihet që në Tiranë ka kushte më komode se në rrethet e tjera”, – ka përfunduar trajneri i Besës, Bledar Sinella.
Ja minutat e tjera të lojës
3’ Manuka e ka hedhur topin pas shpinës së mbrojtjes koplikase, atje ku ka gjetur të lirë Krasniqin, që ka gjuajtur fort, por Hallunaj ka grushtuar.
7’ Goditje dënimi për Besën, gjuan Manuka nga një distancë prej rreth 20 metra nga porta e Veleçikut, por Hallunaj ka grushtuar më parë dhe më pas është hedhur mbi topin për ta rrokur përfundimisht atë.
10’ Kuli tenton të rrezikojë portën koplikase me një gjuajtje në ecje e sipër, në një distancë prej rreth 20 metrash, por Hallunaj përsëri ka pritur dhe është treguar i pathyeshëm.
11’ Beqaj ka shpërthyer nga e djathta e sulmit kavajas, ka krosuar dhe topi ka përfunduar tek Çelhaka, i cili e ka krosuar dhe një herë sferën tashmë nga e majta e sulmit verdhezi, gjuan Krasniqi, por topi është ndalur në shtyllën e majtë pingule të portës së Veleçikut dhe ka dalë jashtë.
15’ Kuli e ka hedhur topin pas shpinës së mbrojtjes koplikase, ka gjuajtur fort e shpejt Krasniqi, por vetëm goditje këndi për Besën, ndërsa vendësit e kanë larguar sferën në goditje këndi.
22’ Banushaj, i ndodhur në të majtë të sulmit koplikas, ka tentuar parabolën mbi portierin kavajas, por Dojsinani ka pritur.
27’ Banushaj ka shpërthyer përsëri nga e majta e sulmit koplikas, ka krosuar, godet Kurtaj, por Dojsinani ka pritur në pozicion.
47’ Kuli me shumë zgjuarsi i ka rrëmbyer topin një mbrojtësi të Veleçikut, ka hyrë në zonën e rreptësisë koplikase, ka gjuajtur, por grushton Hallunaj.
61’ Goditje dënimi për Besën në një distancë prej rreth 20 metrash, gjuan fort Kuli, por ka pritur Hallunaj.
82’ Momenti më i mirë i Veleçikut për të barazuar rezultatin, Djepaxhia është shfaqur i vetëm përballë portës kavajase, ka gjuajtur, por Dojsinani ka pritur.
84’ Goditje dënimi për Besën, ka gjuajtur Kuli në një largësi prej rreth 25 metrash nga porta koplikase, ka grushtuar Hallunaj dhe më pas mbrojtësit vendës e kanë larguar topin në goditje këndi.