AlbanianSport.com 07.11.2014 07:55
ASNN – Atmosfera e kryendeshjes së të shtunës me Besëlidhjen ka nisur të “gjëmojë” në Kavajë edhe dy ditë përpara zhvillimit të takimit. Janë shumë e shumë arsye që e bëjnë ndeshjen Besa-Besëlidhja të ketë vlerësimin e kryesfidës për javën e 6-të të Grupit A të Kategorisë së Parë. Kavajasit do të presin si gjithnjë me bujarinë e tyre karakteristike Besëlidhjen e Lezhës, ekip që është aktualisht kryesuese e grupit të Veriut.
Tre ndeshjet e mëparshme shtëpiake të Besës kanë kaluar me barazime në të njëjtat shifra, 1-1 ndaj Tërbunit, Mamurrasit dhe Kamzës. Por askush, sidomos në kushtet e mungesës ende të një fitoreje për kavajasit, nuk dëshiron që kjo histori për marrjen e tripikëshit të parë të sezonit të zgjasë shumë. Nga ky vështrim atmosfera e takimit ndaj lezhjanëve ka nisur të ndjehet që në fillimjavë, por dje është bërë diçka edhe më e fortë.
Skuadra e ka kryer stërvitjen e radhës në fushën e stadiumit “Besa” për t’u përshtatur më mirë me terrenin. Shiritin në mungesë të Kulit do ta mbajë mesfushori Ilirjan Çaushaj. Përvoja e këtij futbollisti tashmë njihet nga të gjithë. Edhe pse ka vetëm dy muaj që ka ardhur në Kavajë, ai ka nisur të shfaqë si duhet aftësitë e potencialin e vet futbollistik.
Do të luajë në të njëjtin rol që kryen edhe Kuli, në qendër të mesfushës, aty ku “regjisura” e veprimeve të këtij lojtari ka të bëjë me manovrën e shpejtë dhe efikase sulmuese për shokët e tjerë. Kapiteni i kësaj ndeshjeje Çaushaj u shpreh dje optimist në lidhje me takimin ndaj Besëlidhjes, duke treguar se mesfusha kavajase do të ketë në dorë dhe fatet e kësaj ndeshje për Besën.