AlbanianSport.com 04.11.2014 16:05
ASNN – Besa, analiza në heshtje të plotë. Ka munguar presidenti Bizhdili, analizën e djeshme e ka drejtuar trajneri Artan Mërgjyshi, i cili i di hallet e ekipit. Dje në mesditë, teksa ka startuar e para seancë e javës anti-Besëlidhja, futbollistët e Besës dhe stafi teknik kanë zhvilluar analizën e post-humbjes së parë të kampionatit në këto 5 javë. Në mjediset e aneksit stërvitor me bar sintetik është pritur prania e presidentit Nexhat Bizhdili.
Por ky i fundit ka munguar për shkak të disa impenjimeve të tjera në biznesin e tij. Në fakt, e ka drejtuar vetë trajneri Artan Mergjyshi këtë analizë. Ai ka parashtruar argumentat e tij se kjo gjendje aktuale është e tillë që nuk nderon asnjërin prej lojtarëve. “Ne kemi pritur të kundërtën, të fitonim ndaj Ilirisë dhe të gëzonim sado pak për fitoren e parë që do të na motivonte ndryshe në këtë prag ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Besëlidhjes në Kavajë”, – u tha Mërgjyshi lojtarëve.
“Por ju jeni treguar aq naivë sa e keni tepruar shumë me atë stil loje aspak kolektiv, por gjithësecili për “hesap të vet” në takimin e fundit të humbur në fushë të huaj, – ka vijuar ai. – Në pjesën e dytë ju keni luajtur sikur të ishit amator. Autokritika dhe reflektimi, në këto momente, jam i sigurt se do të jetë kryemotiv për të gjithë. Duam që të lëmë shpejt mënjanë gabimet e bëra dhe të hedhim prapa krahëve këtë situatë, e cila për një ekip si Besa është pa diskutim shumë e pazakontë”.
Askush nga futbollistët nuk ka folur në këtë analizë dhe të gjithë kanë pranuar në heshtje të plotë çfarë është thënë nga trajneri i skuadrës. “Momentet e këtij “shoku” psikologjik – tha trajneri Mërgjyshi – i kalojnë dhe skuadra të tjera, por reflektimi ynë ka zgjatur aq shumë sa duhet thënë mjaft. Kthesa shtrohet si “detyrë shtëpie” ndaj Besëlidhjes, një skuadër aktualisht shumë e fortë dhe me pikë të plota në 5 javët e para.”
“Nuk duhet të ndjehet asnjë lloj inferioriteti, sepse Besa ka emër të madh në historinë e vet, – ka theksuar kryeqytetasi i pankinës kavajase. – Prandaj nga ky këndvështrim, pavarësisht dy mungesave të kapitenit Bekim Kuli dhe 18-vjecarit Regi Lushkja, që janë të skualifikuar me kartonë të kuq në takimin e fundit ndaj Ilirisë, të tjerët të bëjnë maksimumin për të fituar”. Edhe nga shoqata e tifozëve “Miqtë e Besës” ka bërë dje një thirrje në të gjitha mediat sportive lokale që të qëndrohet më pranë skuadrës dhe të mbështetet fuqishëm, pasi duhet që ky takim ndaj lezhjanëve të kalohet patjetër me sukses.
Entuziazmi dhe optimizmi i pragut të kësaj superndeshje ndaj lezhjanëve ka nisur që dje në Kavajë dhe të gjithë mendojnë se Besa do të jetë e aftë të ia dalë për të arritur fitoren e parë.