AlbanianSport.com 13.01.2016 19:35
ASNN – Klubi i njohur rus, Anzhi i Mahaçkallasë, ka kompletuar transferimin e mesfushorit me tipare sulmuese të Skënderbeut dhe përfaqësueses së ë Kosovës, Bernard Berisha. Në faqen zyrtare të klubit në Internet thuhet se 24-vjeçari ka kryer testet mjekësore dhe ka nënshkruar marrëveshje me klubin për tre vjet e gjysmë. Berisha ishte pjesë e kampiones së Shqipërisë, Skënderbeut, që nga viti 2014, me të cilën debutoi në veprimtaritë evropiane.
Ndërkohë, lojtari më i ri i Anzhit, e ka shprehur gëzimin e tij për transferimin në Rusi përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”. Ai ka falënderuar ish-klubin e tij Skënderbeu për gjithçka që kanë bërë dhe agjentin e tij që ka mundësuar kalimin në Rusi. “Zyrtarisht lojtar i Anzhit në Rusi! – shkruan mesfushori kosovar. Faleminderit të gjithëve!”
“Faleminderit Presidentit Takaj, trajnerit Josa, shokëve të skuadrës dhe tifozërisë korçare! – ka vijuar futbollisti që ka spikatur me lojën e tij në këto dy sezone me Skënderbeun. – Faleminderit atyre që bënë të mundur ardhjen time në Shqipëri nga Kosova por mbi të gjitha, faleminderit Shkumbin Kjormemeti për këtë transferim! Me respekt, Bernard Berisha.”