Adriatik Balla 28.09.2015 11:35
Ndeshja me Serbinë konsiderohet përcaktuese për fatet e Eliminatoreve në grupin I eliminator për Kampionatin Evropian “Francë 2016”. Në këtë ndeshje Shqipëria do të kërkojë maksimumin si domosdoshmëri për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit dhe të gjithë janë të bindur se fitorja me serbët na çon në “Euro 2016”.
I këtij mendimi është dhe ish-mbrojtësi i Kombëtares dhe i Vllaznisë, Elvin Beqiri, i cili, pas një analize të kujdesshme të avantazheve kuqezi dhe natyrisht gjendjes së dy ekipeve, beson se kuqezinjtë janë pranë një triumfi historik dhe fitorja në “Elbasan Arena” do të sillte një sukses që është pritur me dekada nga breza të ndryshëm sportistësh të përfaqësueses.
Beqiri mendon se në këto momente skuadra jonë ka disa avantazhe, por në të njëjtën kohë ndodhet nën presion, pasi i duhet fitorja. Ai mendon se skema e De Biazit do të sjellë efektin e duhur dhe ekipi do të dijë ta interpretojë si duhet sfidën, pavarësisht tensioneve midis skuadrave.
Ish-mbrojtësi i Vllaznisë beson se situata e krijuar ditët e fundit me tifozët dhe qëndrimet e medias serbe, çojnë në drejtimin se kjo përballje do të jetë më shumë politike, duke dëmtuar drejtpërdrejt ekipin kombëtar shqiptar, i cili duhet ta vlerësojë nga ana sportive takimin.
Kjo është intervista e ish-futbollistit të Kombëtares dhe Vllaznisë, dhënë të përditshmes shqiptare, “SOT”, të cilën AlbanianSport.com do t’jua sjellë sot dhe nesër në dy pjesë dhe sot është pjesa e parë, ndërsa e dyta nesër.
– Ndodhemi në prag të një ndeshje të madhe, ajo e 8 tetorit ndaj Serbisë, një ndeshje që do të thotë shumë për kualifikimin, por, në të njëjtën kohë, është e ngarkuar emocionalisht për shkak të ngjarjeve të vitit të kaluar, si dhe marrëdhënieve të vështira historike midis dy vendeve dhe dy popujve tanë. Çfarë prisni nga kjo ndeshje dhe sa janë shanset reale të Shqipërisë të shkojë në “Euro 2016”?
– Shanset për kualifikim janë të mëdha dhe ka shumë shpresë për realizimin e objektivit. Natyrisht, kjo shpresë vjen nga fakti se Kombëtarja këtë edicion ka pasur qëndrueshmëri, ajo ka pasur rritje nga ndeshja në ndeshje, pavarësisht humbjes me Portugalinë. Skuadra jep besueshmëri dhe kjo është një epërsi jo e vogël e ekipit, duke qenë në situatë premtuese. Por situata është e tillë që ne duhet ta mundim Serbinë, pra fitorja në këtë takim është kusht, është si të thuash domosdoshmëri që lidhet drejtpërdrejt me objektivin. Pra kualifikimi ynë në Evropian varet pikërisht nga kjo ndeshje dhe unë jam i mendimit se fitorja me serbët na çon direkt në Evropian. Sa i takon gjendjes në prag të ndeshjes, unë mendoj se skuadra jonë ndodhet nën presion, sepse ndeshja po merr që tani pa u luajtur ngjyra politike dhe me siguri që do të kemi një ndeshje të politizuar. Që të mos ndodhë kështu duhen evituar ca gjëra, pra duhen tejkaluar acarimet, euforia e tifozëve dhe natyrisht deklaratat pompoze në media të gjithëçfarëve. Po dëgjoj gjëra të ndryshme, të tilla si “përbuzje kundërshtarit”, “forca të mëdha policie e ushtrie”, “injorim të himnit të tyre” etj. Këto nuk e ndihmojnë skuadrën tonë, sepse i shtojnë presionin dhe futbolli, ashtu si sporti në tërësi, ka natyrë ndryshe. Skuadra duhet ta kuptojë këtë ndeshje si një përplasje sportive, tamam një ndeshje futbolli. Ndryshe të humbur dalim ne e jo serbët.
– Ka vend për të pasur frikë nga incidentet? Kjo pyetje shtrohet për faktin se janë ngritur në këmbë policia, shërbimi sekret, etj.
– Frika nga incidentet është shumë e madhe, sepse në lojë është kualifikimi dhe ngjarjet jo sportive duhen evituar. Organizime të tilla me polici speciale, me SHISH e ku di unë, duhen bërë në fshehtësi e jo me pompozitet. Dihet që strukturat e sigurisë do të menaxhojnë situatën, s’ka pse bëhet bujë për këtë qëllim. Kjo duhet bërë në mënyrë që të mos ngjallet panik. Askush nuk ka nevojë për situatë alarmante në këtë moment, kjo nuk i shërben askujt e aq më pak ekipit tonë. Ne, më shumë se kujtdo tjetër, na intereson në këtë ndeshje vetëm futbolli. Duhet menduar dhe zhvilluar një ndeshje si gjithë të tjerat, pavarësisht asaj çfarë ndodhi në Beograd. Siç thashë, ne më shumë se kushdo jemi të interesuar për një ndeshje normale, sepse jemi në prag të një suksesi të rëndësishëm, kurse serbët nuk kanë çfarë humbasin dhe nuk kanë fare presion.
– UEFA po mban një qëndrim të rrezikshëm. Kjo pasi ka sjellë të njëjtin oficer sigurie që ishte në Beograd në ndeshjen e parë. Domethënë është si një provokim, pasi ky oficeri ishte ai që thoshte që ndeshja duhej të luhej, në një kohë që në fushë kishin hyrë huliganë e vrasës si Bogdanovi, etj. A mendoni se ardhja e tij është një veprim kundër nesh?
– Më duket një çështje delikate, sigurisht, por duhet të shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë. UEFA nuk është e interesuar, mendoj unë, të ketë incidente dhe gjëra të tilla. Ajo e solli atë, por unë nuk besoj se ka ndonjëri interes që kjo ndeshje të ketë ndodhira të njëjta si në Beograd. Unë besoj se këto gjëra nuk zgjidhen nëpërmjet deklaratave në media, por nëpërmjet ankesave të nevojshme që i bën institucioni, gjithmonë në bazë të rregulloreve. Për shembull, mund të bëhej kërkesë të sillet një oficer tjetër, me justifikimin madhor se ky që ishte nuk e respektoi si duhet rregulloren.
Vijon nesër…