AlbanianSport.com 23/02/2022 23:55
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, ka mbyllur të mërkuret ndeshjet e para të turit të 16-shes. Dhe e mërkura ishte dita e barazimeve, teksa përballja Atletiko Madrid-Mançester Junajtid, që u mbyll në barazim 1-1, erdhi direkt në RTSH.
Ndërkaq, në takimin tjetër të luajtur në Portugali, ka qenë Ajaksi që i ka bërë të gjitha përballë Benfikës, duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi 2-1. Dushan Tadiç i ka kaluar holandezët në epërsi pas vetëm 18 minutash lojë dhe por Sebastien Haller ka rikthyer barazinë në shifra, duke shkaktuar një autogol në portën e tij në minutën e 26-të.
Sidoqoftë, ka qenë 27-vjeçari që ka shpaguar veten, teksa vetëm 3 minuta më pas, rikthen Ajaksin në epërsi, duke shënuar golin e dytë të miqve dhe të 11-tin e tij personal në këto 7 ndeshje të deritanishme të Ligës së Kampioneve. Pjesa e dytë do të shohë vendasit të barazojnë shifrat me Jaremçuk, i cili realizon golin e dytë të Benfikës 18 minuta para fundit të kohës së rregullt.