AlbanianSport.com 19/05/2020 21:40
ASNN – Ndërsa mposhtja e epidemisë së virusit korona mbetet një përparësi në shkallë botërore, edhe mungesa e sportit po ndjehet me intensitet të madh. Tani duhej të zhvillohej “Roland Garro” në Paris, por turneu madhor i tenisit botëror është shtyrë në një datë të mëvonshme dhe, sipas të gjitha gjasave, do të zhvillohet në shtator të këtij viti.
Dhe sipas legjendës së tenisit dhe anëtarit të Akademisë “Laureus”, Boris Beker, humbësi më i madh në këtë situatë është Rafael Nadali, në garën për t’u bërë fituesi i më shumë titujve madhorë, të njohur ndryshe si “Grend Slem”-e, në histori. Rozher Federer aktualisht është në kuotën e 20 titujve “grend slem”-e të fituar, Nadali me 19 dhe Novak Gjokoviçi me 17.
“Dueli është i hapur, por secili nga yjet më të mirë të tenisit botëror do të vuajë më shumë për atë që do të humbë këtë vit”, – ka thënë Bekeri. Me pasigurinë e vazhdueshme, se sa kohë do të zgjasin kufizimet e koronavirusit në të gjithë botën, Bekeri pyet nëse do të jetë Turneu i Hapur i Australisë, “Australian Open”, “Grend Slem”-i i ardhshëm që do të luhet.
Nëse do të jetë kështu, atëherë ndoshta 2021 do të shohë përparimin e të rinjve, sepse ata do të kenë një vit më shumë përvojë, ndërsa lojtarët më me përvojë do të jenë një vit më të mëdhenj në moshë. “Tre të mëdhenjtë, Federeri, Nadali dhe Gjokoviçi, kanë fituar gjithçka disa herë, – ka thënë legjendari gjerman i tenisit. – Unë mendoj se është koha që brezi i ri të ecë përpara.”
“Më i miri prej tyre në dy vitet e fundit ka qenë Dominik Tim, – ka vijuar Bekeri. – Ai diskutoi 3 finale të mëdha dhe luajti bukur kundër Novak, e duke humbur në 5 sete në Melbërn. Me të vërtetë më pëlqen Stefanos Tsitsipas, mënyra se si ai luan. Më pëlqen gjithashtu edhe Sasha Zverevu, i cili ishte në gjysmëfinale në Melbërn dhe është vetëm 22 vjeç, kështu që ai ka një karrierë të gjatë përpara tij.”
“Ka edhe lojtarë të tjerë më të rinj që janë magjepsës, – ka shpjeguar ish-tenisti i njohur gjerman. – Sidoqoftë, unë dua që brezi i ri të vazhdojë të ngrihet në nivel e të konkurrojë me 3 të mëdhenjtë. Dua të shoh një finale midis një 22-vjeçari dhe një 33-vjeçari. Kjo do të ishte më e mira për tenisin”, – ka përfunduar legjenda e tenisit botëror dhe anëtari i Akademisë “Laureus”, Boris Beker.