AlbanianSport.com 08.12.2015 08:50
ASNN – Sipas asaj që pretendon rrjeti prestigjioz britanik, BBC, Sep Blater është në hetim nga FBI-ja. Autoritetet amerikane dyshojnë se 79-vjeçari është në dijeni të një rryshfeti prej 100 milionë dollarësh, e dhënë nga një kompani marketingu sportiv, ISL-ja, tashmë e falimentuar.
Në këtë çështje përfliten se janë përfshirë edhe ish-kreu i FIFA-s, Zhoao Havelanzh dhe dhëndrri i tij e, njëkohësisht, ish-anëtari i Komitetit Ekzekutiv dhe presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit, Rikardo Teisheira. BBC-ja pretendon se zotëron dokumente ku përmendet një letër e shkruar nga Teisheira nga pagesat e kësaj kompanie marketingu ku Blater ishte i informuar.
Bëhet fjalë për shuma të mëdha për të drejtat televizive prej viteve 1990-të. Skandali i korrupsionit në FIFA ka përfshirë shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të saj. Prej muajit maj, kur nisi operacioni ka patur dhjetëra të arrestuar e të hetuar. Këto çështje sollën edhe dorëheqjen e Sep Blaterit, por ai nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi.