Nga Gjergj Vyshka 12.12.2015 18:00
Basketbollin e zë pleviti në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ndërsa ndeshja Studenti-Flamurtari për femra jo vetëm që është luajtur sa për të kaluar radhën, por është mbyllur në një kohë rekord. As më pak e as më shumë por 52 minuta lojë me një pushim të shkurtër mes katër pjesëve pesë minuta. Sepse të gjithë kishin ftohtë.
Të gjithë të mbledhur dhe në një situatë gripi totale, nuk kanë pasur ndërmend të ngrinin më shumë se çfarë kanë ngrirë në më pak se një orë në përballjen Studenti mes Flamurtarit në një ndeshje që ka nisur mirë për vajzat e Fiorentina Mitkut e më pas ka përfunduar suksesshëm për ato të Viron Toskës, që vazhdojnë të kryesojnë me meritë.
Ajo që duhet theksuar është fakti se nivelit të ulët në tërësi të basketbollit shqiptar, sidomos atij të femrave, i shtohet jo vetëm indiferentizmi i publikut (rreth 20 veta kanë ndjekur dje), por dhe infrastruktura copë-copë e “Asllan Rusit”. Ndaj të gjithë kanë ftohtët, ndërsa basketbollin e ka zënë pleviti.
Por që tani bëhet më i vështirë, sepse me sallat e ftohta jo vetëm basketbollin, por ndoshta dhe volejbollin po e zë pleviti. Dhe më pas nuk do të ketë “sanatorium” ta marrë në dorë për ta shëruar…